k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

NASA: Vitamina B3 mund të ketë ardhur nga meteoritët


Rezultatet e eksperimenteve laboratorike me vitaminën B3 nga një ekip shkencor i NASA-s, mbështesin tezën se fillesat e jetës në Tokë mund të jenë ndihmuar nga "molekula të rëndësisë biologjike të cilat janë prodhuar në hapësirë dhe kanë mbërritur në Tokë nëpërmjet meteoritëve dhe kometave".

Studimi i botuar muajin e kaluar në periodikun "Chemical Communications" vijon sipas kërkimeve të mëparshme të ekipit, në të cilat rezultoi se vitamina B3 ishte e pranishme në "meteoritët e pasur me karbon, në përqendrim nga 30 deri në 600 pjesë për miliard"'.

Sipas studimit të parë, ekipi kreu eksperimente që provonin se vitamina B3, e cila gjendet në ushqime si peshku, kikirikët dhe farat e lulediellit, mund të prodhohej nga një molekulë organike e quajtur piridinë në akull dyoksidi karboni në kushte që simulonin mjedisin hapësinor.

Ndërkaq eksperimentet në studimin e ri kanë shkuar edhe më tej duke shtuar akull uji në përzierjen e testuar, si dhe duke përdorur sasi më pranë asaj që pritet nga akujt ndëryjorë dhe kometat.

Sipas NASA-s ekipi ka vërejtur se me shtimin e ujit, vitamina mund të prodhohej në forma nga më të ndryshmet, nëse sasia e akullit të ujit luhatej deri në 10-fish të masës minimale fillestare.

Autorja e studimit, Karen Smith, e Qendrës së Fluturimeve Hapësinore "Goddard", Meriland, SHBA, vëren: "Ky rezultat lë të kuptohet se këto përbërje të rëndësishme organike te meteoritët mund të kenë ardhur nga akujt me përbërje të thjeshtë molekulare në hapësirë. Kjo lloj kimie mund të na ndihmojë dhe me rastin e kometave, të cilat përmbajnë sasi të mëdha akujsh uji dhe dyoksidi karboni. Këto eksperimente tregojnë se vitamina B3 dhe përbërje të tjera më të ndërlikuara organike mund të prodhohen në hapësirë dhe ka gjasë që përplasja e meteoritëve dhe e kometave të ketë shtuar kështu një element jashtëtokësor me sjelljen e vitaminës B3 në Tokë."

Këto rezultate mund të jenë të rëndësishme për fillesat e jetës në Tokë, pasi shumë struktura thelbësore për metabolizmin varen nga vitamina B3. Ka mundësi që vitamina B3 nga hapësira të ketë ndihmuar në përshpejtimin e formimit të jetës në Tokë, çka do të ishte një ndihmesë të kuptonim se si formohet jeta dhe në planetët e tjerë.

Sipas NASA-s, eksperimentet e këtij studimi, të cilat janë pjesë e një programi më të gjerë kërkimor në fushën e astrobiologjisë të agjencisë amerikane, tregojnë për një lidhje të rëndësishme midis molekulave të ndërlikuara organike të formuara në hapësirën e ftohtë ndëryjore dhe të atyre që gjejmë në meteoritë.

Autorët po studiojnë ndërkohë informacionet e përftuara nga misioni "Rosetta" i agjencisë evropiane hapësinore (ESA), që ndodhet aktualisht në orbitë rreth kometës 67P-Çurjumov-Gerasimenko. Këto vrojtime mund të jenë ndihmesë tjetër në verifikimin kësaj teze.

Burimi1 gusht 2015


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistet.info
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2017