k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

SHBA: Rritet truri i parë njerëzor në kushte laboratori


Një tru njeriu në formën e tij pothuajse i plotë është formuar për herë të parë në kushte laboratori në Universitetin Shtetëror të Ohajos, SHBA.

Sipas grupit shkencor pas kësaj arritjeje, ndonëse truri në fjalë nuk është i vetëdijshëm, ai mund të përdoret për të studiuar ecurinë e sëmundjeve progresive.

Gjithashtu mund të përdoret për testimin e medikamenteve kundër sëmundjeve të trurit si alchajmeri apo parkinsoni, duke qenë se zonat e prekura prej këtyre sëmundjeve formohen që në fazat e para të zhvillimit të trurit.

Truri laboratorik, i cili ka madhësinë e një gome lapsi, është shndërruar nga qeliza të lëkurës së njeriut dhe deri më sot është modeli më i plotë i trurit të njeriut të krijuar në laborator, sipas Rene Anandit të Universitetit Shtetëror të Ohajos "Kolumbus", i cili ka prezantuar sot punën e tij përpara konferencës shkencore MHSRS (simpoziumi kërkimor i sistemeve ushtarake të shëndetit) të organizuar nën kujdesin e Departamentit të Mbrojtjes, në Fort-Lauderdejl të Floridës.

Përpjekjet e mëhershme për rritjen e trurit të plotë kanë arritur deri në stade miniorganesh që ngjanin me ato të fetuseve nëntëjavëshe, por këto "organoide trunore" nuk kanë qenë të plota dhe kanë pasur vetëm disa aspekte të trurit.

“E kemi krijuar të gjithë trurin nga fillimi,” - ka deklaruar drejtuesi i projektit Rene Anand.

Sipas ekipit shkencor ata kanë arritur të riprodhojnë 99% të llojeve të ndryshme të qelizave dhe të gjeneve të trurit. Truri i përftuar përmban gjithashtu një shtyllë kurrizore, qarqe sinjalizuese dhe një retinë.

Ndërkaq sipas Anandit për ekipin arritja nuk paraqet ndonjë problem të natyrës etike. "Në këtë rast nuk kemi nxitës ndijorë që të ngacmojnë trurin, kësisoj truri nuk është 'mendues'".

Sipas tij ekipi e ka krijuar trurin duke shndërruar qelizat e lëkurës së një njeriu të rritur në qeliza pluripotente, d.m.th. qeliza staminale që mund të programohen për t'u shndërruar në çfarëdo indi të organizmit.

Në vijim këto qeliza janë zhvilluar në një mjedis të posaçëm që i ka detyruar të rriten në elementet e ndryshme të trurit dhe të sistemit nervor qendror.

Sipas Anandit, duhen rreth 12 javë për të krijuar një tru të tillë në stadin e një truri të një fetusi pesëjavësh. Për të kaluar në stade të mëtejshme është i nevojshëm dhe një rrjet enësh gjaku të cilat ekipi nuk mund t'i prodhojë ende.

“Do të na duhej një zemër artificiale për ta ndihmuar trurin të zhvillohet në stadet e mëtejshme,” pohon Anandi.

Deri më tani puna e ekipit të drejtuar nga Anandi nuk është e konfirmuar ende nga kolegët e fushës, pasi ekipi ka aplikuar për patentim të teknikës duke i mbajtur ende të fshehta specifikat teknike.

Ekipi pohon se për momentin janë të përqendruar në përdorimin e trurit për kërkime të natyrës ushtarake, sipas tyre kryesisht për të kuptuar çështje të stresit dhe traumave të pësuara nga ushtarët në kushte lufte.

Burimi20 gusht 2015


Komente

kalimtar/e
kaltrina 
1 dhjetor 2016, 21:48
shume mire vazhdoni zbulimet bota pret nga ju shum



Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistet.info
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2017