k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Nigeri: Mbyllen 55 kisha e xhami pasi shqetësonin banorët


Autoritetet në Lagos të Nigerisë kanë mbyllur 55 kisha dhe xhami në qytet pas një morie ankesash nga banorët për zhurmë nga këto objekte.

Banorët i janë drejtuar departamentit të Mbrojtjes së Mjedisit në Lagos duke u ankuar për zhurmë të lartë nga objektet fetare.

"Gjatë pesëvjeçarit të ardhshëm, nëse nuk ka legjislacion të rreptë për objektet e kultit, do të kemi probleme! Vetëm në celular marr nga 20 mesazhe në ditë për këtë gjë." - pohon Adebola Shabi, drejtor i Agjencisë Shtetërore të Mbrojtjes së Mjedisit në Lagos.

Numri i banorëve që ankohen është rritur së tepërmi, pasi zhurmat nga objektet fetare janë bërë të padurueshme, aq sa sipas të ankuarve nuk dëgjojnë dot as njëri-tjetrin gjatë bisedës pranë këtyre objekteve, për shkak të altoparlantëve të mëdhenj që i shurdhojnë me mesazhe dhe muzikë fetare.

“Me ndërhyrjen e sotme u kemi vënë drynin tanimë 55 objekteve, 22 syresh sot dhe 33 gjatë ndërhyrjes së mëparshme" - pohon drejtori mjedisor, Adebola Shabi.

Feja duket se është një biznes i madh në Lagos të Nigerisë - qytet i 20 milionë banorëve - me mbi 6000 objekte kulti të feve nga më të ndryshmet që janë ngritur gjatë viteve të fundit, sipas autoriteteve.

Drejtori mjedisor deklaron në vijim se objekteve të mbyllura të kultit do t'u lejohet hapja vetëm pasi të paguajnë gjobat që nisin nga 250 dollarë amerikanë e lart.

Sipas tij, ligji për zonat e përziera të banimit dhe industriale përcakton se zhurmat duhet të qëndrojnë nën 55 decibelë gjatë natës.

"Zhurma këtu është mbi 100 decibelë. Cilido që ekspozohet ndaj një zhurme 115 decibelë për rreth gjashtë orë do të shurdhohet. Ky është rreziku me të cilin përballet zona.” - përfundon Shabi.

Burimi28 gusht 2015


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistet.info
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2017