k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Tiranë: Ultimatum që mësuesit e lëndës së fesë të jenë funksionarë të feve


Tashmë nuk është më një ide dhe projekt, por një vendim shtetëror, që në shkollat shqiptare të sistemit parauniversitar të futet si lëndë mësimore edhe kultura librore fetare e të tre besimeve që veprojnë në vendin tonë.

Se si do të ndahen orët mësimore të çdo besimi fetar brenda një dite mësimore, një klase e një shkolle, këtë “formulë” e dinë “profesorët” e Ministrisë së Arsimit, të cilët janë edhe promovuesit e futjes së mësimit fetar në shkollë, mbasi vërtetë që ka një lëndë fetare unike që futet në shkolla, por do të ketë disa programe mësimore fetare, sipas kulturës së secilit besim fetar katolik, ortodoks, mysliman, bektashi, madje kanë nisur kërkesa edhe nga “filiale” të tjera besimesh fetare që veprojnë në Shqipëri, të cilët kanë nisur ankesat në Presidencë, Qeveri, në Ministrinë e Arsimit, në Komitetin Kombëtar të Kulteve, duke kërkuar edhe angazhimin e qendrave të tyre fetare nëpër botë!

Por ky vendim, ose më saktë nisja e eksperimentimit “Pilot” të mësimit fetar në shkollën shqiptare parauniversitare në semestrin e dytë të vitit mësimor 2016-2017, nuk është qa i lehtë sa ç'duket.

Që në “njoftim” të tij, pati shumë kundërshti nga specialistë të arsimit, të botës shkencore, të shoqërisë civile, të medies, të mësuesve të sistemit parauniversitar, të prindërve e të krejt opinionit shoqëror, ashtu siç kishte edhe aprovim të plotë prej selive të besimeve fetare në Shqipëri.


Drejtuesit fetarë, ultimatum: Mësuesit të jenë priftërinj, hoxhallarë e baballarë

Pas “zhurmës” së madhe e cila si në çdo rast “zgjati vetëm 3 ditë”, prej disa ditësh ka dalë në skenë edhe një problem tjetër, me të cilin ka nisur të përballet qeveria dhe Ministria e Arsimit, por dhe institucione të tjerë shtetërorë e shoqëror.

Sipas informacionit të ardhur në “Telegraf”, katër selitë drejtuese të komuniteteve fetare që veprojnë në Shqipëri, konkretisht Komuniteti Mysliman, Selia Bektashiane, Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse, pasi kanë siguruar futjen e programeve të tyre fetare në shkolla, kanë hedhur një “hap” tjetër me të avancuar, të shoqëruar me një tjetër kërkesë “delikate”, që në gjuhën popullore shqiptare, thuhet kështu: “Oreksi vjen duke ngrënë”.

Të bërë bashkë në një qëllim, krerët mysliman, bektashi, katolikë e ortodoks i janë drejtuar qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit me një kërkesë të formës së prerë, që vendimi, ose më saktë ligji për futjen e mësimit të fesë në shkolla, të plotësohet edhe me një element tjetër të domosdoshëm, i cili sipas tyre ndikon në cilësinë e mësimdhënies së lëndëve fetare në shkolla!

Konkretisht, drejtuesit e katër besimeve fetare shqiptare, kërkojnë nga qeveria dhe Ministria e Arsimit, që lëndët e fesë në shkolla të mos jepen nga mësues “civilë” që varen prej drejtorive arsimore rajonale e zonale, por të jepen nga “profesorë” hoxhallarë, priftërinj e baballarë.

Sipas informacionit, fillimisht kërkesa e përbashkët e 4 krerëve të selive fetare që veprojnë në Shqipëri nuk është pranuar nga Ministria e Arsimit, nën arsyetimin se shkolla është laike, ndaj dhe mësuesit duhet të jenë “civilë” e jo misionarë me veshje fetare.

Përgjigja e Ministrisë së Arsimit ka shkaktuar reagim të 4 selive fetare, të cilët e kanë kthyer kërkesën, në ultimatum për zbatim. Sipas tyre, ata i kanë gati “mësuesit” hoxhallarë, bektashinj e priftërinj dhe sipas “ultimatumit”, do t’i paraqesin ata në me libra në duar, në shkollat ku do të nis projekti “Pilot”, i shpallur nga Ministria e Arsimit.

Nëse ky “ultimatum” i selive fetare do të pranohet, atëherë në filim të muajit shkurt 2016, në shkollat ku do të nis projekti “Pilot”, krahas mësuesve “civilë” nëpër klasa do të shikojmë të japin mësim edhe hoxhallarë, baballarë e priftërinj!


Projekti “Pilot” në 10 shkolla të Tiranës: Nis në semestrin e dytë të vitit mësimor 2016-2017

Ideja e qeverisë për të futur kulturën fetare në shkolla do të konkretizohet në semestrin e dytë të vitit shkollor 2016-2017. Programi është gati dhe mendohet të implementohet si projekt “Pilot”, fillimisht në 10 shkolla të Tiranës në semestrin e dytë të vitit shkollor e jo që në muajin shtator, siç u përfol në krye të herës.

Lënda, emri i së cilës mendohet të jetë “Historia dhe kultura fetare”, do të japë koncepte mbi fenë për jo më shumë se 10 orë në muaj, për nxënës të klasave të gjashta e të dhjeta. Të gjitha shkollat do të mësojnë kulturën fetare, në rast se ky projekt jep frytet e duhura.

Sipas Ministrisë së Arsimit, tashmë ka përfunduar hartimi i programit mësimor përkatës. Duke qenë se janë shumë pak shkolla, ka më pak punë me trajnimin e mësuesve dhe me përgatitjen e materialit, proces që do të nisë në fund të muajit gusht 2016. Programi fetar në shkolla, do të ndahet mes praktikës dhe teorisë, ku pjesën më të madhe, pra 60% të mësimit do të jetë teori!

Burimi12 gusht 2016


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistet.info
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2017