k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Andekdota nga jeta e Hasan Tahsinit


Kur i vajti një herë për vizitë një miku në Ninat, me të hyrë në shtëpi ai e përshëndeti Hasan Tahsinin në gjuhën turke. Hasani nuk iu përgjigj fare.

- Përse nuk më përfill e s’më përgjigjesh Hasan efendi – i tha miku.
- Nuk është e vërtetë se nuk të përgjigjem, - ia ktheu Hasani. – Edhe heshtja është një përgjigje.


* * *


Në vitin 1873, për mendimet e tij përparimtare e për interepretimin shkencor materialist që u bënte fenomeneve të natyrës dhe formimit të gjithësisë, Hasan Tahsini u arrestua në akuzën se vinte në dyshim ekzistencën e zotit dhe se donte të shpikte një fe të re.

- Akuzoheni se keni dashur të shpikni një fe të re, - i tha ministri i sigurimit publik në Stamboll.
- Efendi, - iu përgjigj Hasan Tahsini, - nuk jam aq injorant sa të mos e di se fetë që ekzistojnë sot jo vetëm që mjaftojnë për njerëzit e botës, por janë edhe të tepërta.


* * *


Takoi që, kur ishte në Ninat, në vendlindjen e tij, të zihet Hëna. Ninajotët, të nxitur nga hoxha i fshatit, filluan të gjuajnë me pushkë kundër Hënës, gjoja për ta shpëtuar nga shejtanët që e kishin zënë. Hasani që e dëgjoi gjithë këtë potere, doli e u tha:

- Të shtënat tuaja nuk dëgjohen deri në Hënë, se ajo është shumë larg. Ju mos u mundoni dhe mos harxhoni kot fishekët, por i ruani ato se do të na duhen për armiqtë që i vinë rrotull Atdheut.


* * *


Kur ishte rektor i Universitetit të Stambollit, gjatë një leksioni, kur po zhvillonte temën mbi «ndarjen e shpirtit nga trupi pas vdekjes», u tha studentëve se këtë duhet ta pranojnë si dogmë, të detyruar nga feja, dhe jo në bazë të fakteve. Ky mendim i tij ngjalli reaksion të madh dhe disa studentë të nesërmen kërkuan që t’i argumentojë mendimet e tij.

Rektori pa u turbulluar mori një zog dhe një enë prej xhami, e futi zogun në enë dhe e mbylli atë me kapak. Pasi kaloi pak kohë zogu, për mungesë të ajrit, ngordhi.

- A jeni të bindur se zogu ngordhi, për mungesë të ajrit? – iu drejtua studentëve H. Tahsini.
- Po – iu përgjigjën studentët.
- Atëherë më thoni, a pa ndonjë prej jush të fluturojë gjësendi nga ena?

Studentët shpërthyen në duartrokitje të fuqishme, por kjo për autoritetet dhe shehulislamin ishte një fyerje e madhe, prandaj menjëherë u vendos që të përjashtohej nga universiteti dhe të mbyllej në qelinë e shtatë të burgut të Stambollit.


* * *


Një ditë disa vagabondë të nxitur nga hoxhallarë e fanatikë të tjerë, sulmuan shkollën e Hasan Tahsinit në Stamboll dhe shkatërruan laboratorin e tij. Kur u kthye H. Tahsini, një nga nxënësit e tij ia shpjegoi ngjarjen.

- Nuk prish punë, do t’i vemë të gjitha në vend – e ngushëlloi H. Tahsini. – Humbjet dinë t’i përballojnë vetëm njerëzit e fortë, të dobtit le të merren me thyerjen e qelqeve.


* * *


Kur Sami Frashëri i njoftoi vendimin e autoriteteve osmane për të ndaluar veprimtarinë e Shoqërisë së të Shtypurit të Shkronjave Shqip, që u themelua në Stamboll nga patriotët e shquar Sami Frashëri, Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Jani Vreto etj., Hasan Tahsini iu përgjegj me optimizëm.

- Ke parë ndonjëherë bujqit, kur mbjellin farën e grurit në arë dhe e mbulojnë me dhe?
- Po – iu përgjegj Samiu.
- Por, a është e mundur që atë farë të mbjellë ta mbledhësh prapë e ta shtiesh në thasë?
- Jo, - i përgjigj përsëri Samiu.
- Ashtu është edhe puna e shkrimit të gjuhës sonë. Fara u mboll, tani nuk ka ç’i bën kush asgjë, ajo do të mbijë me siguri.


"Shkenca dhe Jeta", 197910 nëntor 2012


Komente

kalimtar/e
nina_s 
10 nëntor 2012, 09:58
faleminderit per punen tuaj vazhdoni keshtu
n.



kalimtar/e
Kadriu (Aussie) 
13 nëntor 2012, 08:34
Keto u duhen rikujtuar qeveritarve,poashtu edhe predikuesve të fes.



kalimtar/e
Musa Prebreza  
20 gusht 2016, 06:46
Ju lumtë për shkrimet ...



Jep koment

Veiz Bajo
Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistet.info
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2017