k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Replikë rreth shkrimit “Fanatikët, Volteri dhe ne mes tyre”


Autori i mirënjohur Besi Bekteshi, me politematikën jo pak të suksesshme në gazetën SOT, me atë shkrim të 3 shtatorit, cek disa probleme madhore, që tërheqin në debat. Më të thjeshtat: që në titull: Sot, në shekullin e 21 ne nuk gjendemi mes fanatikëve dhe Volterit, i cili mbetet bir i shekullit 18, me kufizime të kohës, po shumë më lart.

Tjetër, duke përdorur atë si tregues e kriter, iluministin e madh e kanalizon në opinionet e teologëve dhe të politikave zyrtare, kur thotë: "Volteri ishte më afër religjionit të vërtetë!" Ndalu beg se ka hendek! Nuk ka asnjë religjion me atributin e të vërtetës dhe as francezi i shquar nuk kish ku ta gjente në to. Po më për të dëshiruar në shtjellim të atij shkrimi, lënë dy koncepte: fanatizmi dhe ateizmi.

1.

Termin fanatikët, e ka bërë kryefjalë dhe bosht, në vend që të fliste për fanatizmin, si atribut organik i çdo besimi fetar. I është shmangur këtij përgjithësimi, sepse mendon sikur nuk është feja fanatike, por seç dalin disa të tillë midis besimtarëve, që, me sjelljet e qëndrimet e tyre, ia prishin imazhin dhe fesë. Më e shumta që na thotë është: Sërish po e teprojnë me nxitjen e urrejtjes fetare. Me shfaqjen e fanatizmit, po jo me religjionin, sepse nuk kanë lidhje me të. Ja, këtë pohim e quajmë një pasaktësi, për të mos thënë, difekt parimor,

Po si Besi ynë, që nuk qëllon në shenjë, që e lokalizon fanatizmin, e shkëput atë nga feja dhe e qëllojnë tangjencialisht, janë vetë shtetarët botërorë e vendas, që përgjërohen për besimet, u bëjnë elozhe marramendëse, i servirin edhe opinionit shoqëror idenë parimisht të gabuar sikur tjetër gjë janë fanatizmi e xhihadizni dhe krejt tjetër është feja. Kjo është e mirë, për ta pirë në kupë;të këqij dalin disa besimtarë, që e turpërokan atë!

Me të tillë avokati, feja e mban festen mbi sy edhe këtë mijëvjeçar të ri! Por rrjedha objektive dhe logjika e gjërave, flasin për të kundërtën. Nuk duhet filozofi e madhe për të kuptuar se besimet janë tipike fanatike, konservatore, të mbarsura edhe me urrejtje, intolerancë dhe përgjakje sistematike, midis vedit, deri dhe degëzimeve e sekteve të një besimi, sa s’ka bojë tua mbulojë kusuret.

Pjesë dhe ajete të Biblës e Kuranit, bazuar në egoizmin absurd, e kanë të shprehur qartë kundërvënien dhe vijën e demarkacionit midis tyre. Prej brumit dhe misionit që i kanë vënë vetes, ato, janë prej vetiu potencialisht problematike, hidhen në veprim, në kushte, kohë, hapësirë e vend të caktuar, siç ndodh dhe me shpërthimet e vullkaneve të fjetur.

Politikave zyrtare u duhet tërhequr vëmendja, që krejt arbitrarisht, pa vizion e përgjegjësi, në mënyrë të cekët, se me ç`mend, e gjejnë islamin fe të mirë, paqësore, për ta pirë në kupë, ndërsa xhihadizmin e quajnë “të pafe”, “spekulative”, “shpërdorim” të islamit!

Bash kjo ndarje është triblim i shpifur; një inskenim fare pa sens, arbitrar, subjektiv, i sforcuar dhe çoroditja më fatale, që i bëhet krejt opinionit shoqëror, që çon në ndërtim të gabuar edhe të strategjisë, me pasoja të rënda. Të ndash xhihadizmin nga feja e vet, është njëlloj sikur të shqitësh kthetrat nga putrat. Xhihadistët janë myslimanë tipikë, terrorizmi i tyre është fanatizmi fetar në veprim. Krerët e islamizmit duhet, të paktën, t`i vrasë ndërgjegjja e të skuqen dhe jo të distancohen duke larë gojën me një fjalë goje. Si janë përhapur fetë, përveçse me pushtimet e misionarë për luftë të shenjtë!?

2.

Nga kjo tollovi, vetvetiu, lind pyetja: Ç’është feja në thelbin e saj? Autorët e veprës “Enciklopedia e përgjithshme e Oksfordit” (shqip, Tiranë, 2OO6, 1400 faqe), japin përcaktimet: “Feja është një sistem besimesh që parakupton një fuqi të mbinatyrshme, zakonisht një ZOT. ... Në fetë që pranojnë si postulat një Perëndi të tillë jetësore, besnikëria ... shpërblehet me një ekzistencë të ardhme të lumtur, ... ndërsa një e ardhme tërë vuajtje (ferri) përcaktohet si fati i të pafeve. ...

Janë disa që idenë e një Gjithësie pa krijues transcendent e quajnë të pakonceptueshme. Por ateistëve ky koncept u duket edhe i panevojshëm, edhe i sajuar.

Po në atë Enciklopedi theksohet me të drejtë se “Ithtarët e një feje të veçantë, sa më shumë të besojnë, aq më egërsisht reagojnë ndaj atyre që kanë besim tjetër”. Fenë e kanë përcaktuar edhe si “një kompleks simbolesh, që e evokojnë ndjenjat e nderimit e të frikës”.“Për sa kohë që nuk kemi kuptuar natyrën e simboleve fetare, si të krijuara nga vetë njerëzit,-ka argumentuar filozofi gjerman Fojerbah (1804-1872) në veprën e famshme “Wesen des Christentums” (Thelbi i krishterimit-1841), do të mbetemi skllevër të forcave të historisë, të cilat nuk do të mund t`i kontrollojmë”. “Koncepti i zotit është një formë e tjetërsuar e vetëdijes njerëzore". Kurse Dan Brown pohon: Biblën nuk e dërgoi Zoti me faks. Zoti nuk ekziston... Po të imagjinonim botën pa fe, nuk do të kishim as 11 shtator, as kryqëzata e gjueti shtrigash, as konflikt Palestinë-Izrael, as masakër në Bosnjë.

Besimtari le ta dojë atë sa qielli, kanë interesat e tyre me fenë edhe politikanët; por hulumtuesit e publicistët duhet t’i përmbahen konceptit shkencor. Autori ynë i ka të gjitha mundësitë të dallojë sejemi në botën tonë thellësisht të dyzuar, ku edhe ndaj feve janë konturuar dy qëndrime përjashtuese.

Ndërsa vijon polemika shekullore rreth çështjes: “A ka Zot”,“Zoti krijoi njeriun, apo njeriu- Zotin”, njerëzimi mbetet i polarizuar në dy pozicione, me dy kënd-vështrime. Grupimi më i madh mbeten ende ata, që “të besuarit” e mbajnë si “qiellore”, “të shenjtë”, “dhuratë të zotit”, e kanë mjet qetësimi e ngushëllimi; e adhurojnë dhe e ushtrojnë, i dorëzohen çdo fati, edhe vdekjen e pret më me lehtësi, me shpresën e ringjalljes; e trajtojnë si faktor shoqëror, etik e kulturor; e kanë shpallur vlerë, liri dhe të drejtë njerëzore. Pjesa e dytë e njerëzimit, në rritje, ka kaluar në indiferentizëm, apo ka braktisur çdo lloj besimi dhe jeton plotësisht bazuar në bindjet shkencore. Kur do të bashkohet dhe Besi me këtë pjesë?

3.

Le të sjellim në kujtesë burrin e shtetit, Mustafa Qemalin, i cili themeloi Turqinë moderne, duke i dhënë fund perandorisë feudale teologjike osmane. Ai suprimoi Kalifatin dhe Sheriatin, me këto ide udhërrëfyese:

Feja, ky helm që prish trupin politik të vendit, është si ajo korja e llavës së ftohtë vullkanike, që mbyt jetën dhe mban nën vete shpirtin e gjallë të kombit. Shteti duhet pastruar nga ky helm, korja duhet çarë, që të çlirohen energjitë vullkanike të popullit. Gjendet apo s`gjendet në krye të detyrës ndonjë lloj zoti, ai mbetet një nga zinxhirët me të cilin hoxhallarët fanatikë (këta dembelë të paaftë që hanë në kurriz të popullit) dhe sunduesit radikalë kanë mbajtur popullin të nënshtruar”. Dhe më tej: Një sundues që ndjen nevojën e ndihmës së fesë për të drejtuar, është një ngordhalaq që nuk meriton të drejtojë. Vetëm një njeri i dobët kërkon ta ketë fenë si mbështetje për sundimin. Gjatë shekujve, pushtetarët e kanë përdorur e instrumentalizuar atë për pushtime e forcimin e sundimit.

Sot duhej të ishte marrë në konsideratë ideja e Xhon Lokut se: Feja e shtetarit është e vërtetë vetëm për veten e tij”. Bashkësitë fetare vegjetojnë bazuar në një koracim kompleks: në indoktrinimin intensiv e skrupuloz, në spekulimet me dobësitë njerëzore dhe mangësitë e shkencës, sidomos në dogmën boshtore “zot”, kthyer e bërë si gozhdë e Nastradinit.

Ndaj dhe polemika shekullore Fe-Shkencë, Besim-Bindje, Iracionale-Racionale, Mistike-Transparente, E fshehura-E Zbuluara, është e papërfunduar. Atëhere ku e gjen autori ynë kompetencën të na flasë për “fe të mirë, pa fanatizëm”? Një opinion i sajuar, i gatuar me premisën ashtu si e dëshiron fenë dhe jo si është ajo në thelbin e saj.

Bashkësitë fetare livadhisin në kushtet favorizuese marramendëse, krijuar në historinë moderne. Sikur të respektohej besnikërisht parimi i laicitetit, siç e koncepton bukur edhe Besi, sikur demokracia moderne të hartonte qasjen adekuate ndaj bashkësive fetare, parimisht të ndryshme nga kjo që përjetojmë, t’i disiplinonte ato në kornizat e veta, edhe tabloja e botës sot do të ishte krejt ndryshe.

4.

Fetë kanë të kaluar, por jo të ardhme. Këtë e pohon qartë sociologu bashkëkohor anglez, Anthoni Giddens, me idenë: Marksi theksonte se simbolet fetare i kemi krijuar vetë... Lumturinë dhe shpërblimin feja i shtyn për pas vdekjes …Grupet fetare ndjekin qëllime krejtësisht tokësore. Bindja do trashëgojë botën. Durkheim ishte i një mendjeje me Marksin se feja është në prag të zhdukjes. Edhe indiani Osho ka pohuar pa ekuivok: Nuk ka tjetër Zot, përveç jetës. Sot duhet marrë në konsideratë ideja e shquar e Xhon Lokut se: Feja e shtetarit është e vërtetë vetëm për veten e tij”; vepra “Pse Islam” (2000) të Jusuf el Kadav dhe “La maladie de l`Islam” e Abdeluahap Medev, ku përcillen deduksione të rëndësishme për Krishterimin dhe Islamizmin, të stigmatizuar si dy rivalë shekullorë, të cilëve nuk u duhej lëshuar freri, që të shkonin deri në gjendjen e “fuçisë së barutit” dhe “bombës shpërthyese”; sepse “Politikat dhe ligjet e gabuara i kanë fryrë kaq shumë këto dy fe botërore, sa sot duket sikur u kanë dalë nga pushteti e nuk janë në gjendje t`i bëjnë zap … Islami është fe dhe shtet, Besim (akide) dhe ligj, adhurim dhe udhëheqësi, mus`haf dhe shpatë, namaz dhe xhihad, pa kurrfarë pjestimi e ndarjeje” (f. 20).

5.

Edhe pohimet e autorit tonë mbi Ateizmin, janë me qasje jo fort të pastër... Sepse i është dashur të përmend disa herë Enverin, duke e cilësuar diktatori i vetëshpallur “ateist”, një monstër të ateizmit ideologjik, se ai donte religjionin e vet personal, se njerëzit shërohen nga ateizmi filozofik etj. Vlerësimi i Enverit dhe ky prezantim i çakërdisur i ateizmit, janë pronë e turbullt e vetë autorit, që, fatkeqësisht i serviret dhe publikut me një gjuhë të theksuar antikomuniste. Pale kur thonë se shqiptarët “përzunë zotin”, ngjan sikur ai të ishte një lepur që dëmtonte kopshtin, apo tufë karkalecash zbritur në të korrat.

Këtu e çon ujin edhe barsoleta e kohës “Shqiptari dhe Zoti”; ku tregohet se kur shkoi të takonte atë far Lartmadhërie, bashkë me një amerikan dhe një gjerman, ai u çua dhe i përshëndet dy të fundit. Po për mua pse nuk luajte nga vendi? - e pyeti Shqiptari. Kam frikë nga ti se më zë karrigen, u përgjigj Zoti.

Mendimet ateiste kanë historinë e vet. Ato nuk i shpiku marksizmi, po janë deduksione të mendimit filozofik botëror dhe të zbulimeve shkencore, nga i trashëgoi doktrina komuniste, i vlerësoi dhe i integroi në përmbajtjen e vet.

Pas renditjes së një plejade mendimtarësh, përfaqësues të Ateizmit të Vjetër, - Foerbah, Niçe, Frojd, Marks, Rasëll etj, vjen lista edhe më e madhe e autorëve, të quajtur “Ateistët e Rinj”- Sem Harris, Riçard Dokins, Kristofor Hiçens, pa përmendur folklorin dhe shumë shkrimtarë e artistë, që stigmatizojnë dogmat fetare dhe klerikalizmin në mënyrën më shpartalluese.

“Perëndi, ku je? Ndër tru të njerëzimit zoti galuç ka ndenjun! Njeriu e sheh se është kot i kotit me mendue për një idhull që nuk përgjegj!”- kjo ide e Migjenit tonë, është traseja e alternativës, ku, tanimë, ka hyrë vendosmërisht njerëzimi. Këtë perspektivë, s`e ndalin dot teologët e klerikët, sikur qiellin me tokën të bashkojnë.

Nxënësit e Institutit Arsimor “Wilson” të Tiranës (shkollë e mesme), të anketuar rreth temës: “si e përfytyroni zhvillimin e shoqërisë dhe gjendjen e fesë pas 10 vjetësh”, janë shprehur:

“Të mbetemi besimtarë? Kjo do të thotë të mbetemi në të njëjtin stad: pa zhvillim, pa jetë, pa emocion ndryshimi. Shkenca po ecën, besimi po bie. Njeriu i sotëm nuk kënaqet me imagjinatë të plakur. Zbulimet gjenetike përforcojnë edhe një herë mendimin e argumentin shkencor se çdo gjë ka bazë natyrore, duke hedhur poshtë dogmën e krijimit nga zoti. Pjesëmarrja e njerëzve nëpër ambientet kulturore do të jetë shumë herë më e madhe se e atyre nëpër faltore. Feja ka rezultuar edhe si faktor nxitës i luftërave, mburojë e praktikave shoviniste, ekspansioniste, të cilat kanë sjellë anomali globale. Në uljen e numrit të besimtarëve çojnë edhe intolerancat, papajtueshmëria midis feve. Njerëzimi po përqafon gjithnjë e më shumë shekullarizimin Edhe vendet islamike do të ndikohen prej proceseve laike. Zhvillimi kulturor anon nga zbulimet shkencore. Mbeten hapësira që shkenca nuk i provon dhe feja i shfrytëzon ato. Ndikimi i saj do të zvogëlohet e dobësohet. Përqindja e besimtarëve do të varet edhe nga politikat që do të ndiqen”.(“Revista sociologjike” e shkollës).

Në këto mendime brilante rinore, ja niveli ku u mbetet të ngrihen disa intelektualëve e publicistëve në raportet me fenë. Fatkeqësi e autorit tonë është se,krahas përshëndetjes së iluminizmit e laicitetit, ka mbetur dhe viktimë e opinionit të fryrë fanatik e atij zyrtar për fenë. Kështu, shkrimi i ka dalë eklektik e konfuz, ani pse autorit i fanepset sikur një dorë e ka në bakllava, tjetrën në revani! Kush ka shkencën, nuk ka nevojë për fenë, shprehej Gëtja.

"Sot", 20176 shtator 2017


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistet.info
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2017