k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Ç`na qenka kjo "drejtësi e zotit"?


Shkrimi "Po votojmë drejtësinë njerëzore, nuk mundemi atë të Zotit" (SOT, 21 korrik 2016), nxori në treg edhe pohimin- “xhevahir” se, ekzistoka edhe një drejtësi prej perëndie!

Termin “Zot”, me një “drejtësi divine” të dorës së vetë asaj “lartmadhërie” (nuk dihet në ç`gjuhë e me ç`alfabet), autori, i përdor e lakon si variant realisht ekzistues, jo në kuptimin e figurës apo metaforës, jo si një të vërtetë ideale drejt të cilit duhet të synojë shoqëria njerëzore. Gjykon ndryshe nga rrjedha e jetës, që është ajo e profanizimit të termave e fantazive teologjike, e dhënies atyre përmbajtje e kuptim tokësor. Është kundër edhe idesë së të ndierit profesor Beqja: “janë brenda te i gjalli, edhe engjëlli dhe djalli”, atij mendimi dominues që Qiellit fetar dhe leksikut përkatës, ia ka hequr aureolën “hyjnore” e “shenjtërore”, e ka rikthyer në tokë, atje ku dhe ka lindur.

Astronomia e shkencat e tjera, Gjithësinë e kanë një të vetme, materiale, pa atë hendek teologjik në Qiell hyjnor e Tokë njerëzore. Autori vazhdon me avazin e vjetër, ato i përflet si të dallueshme, të paktën, me dy drejtësi, -“qielloren” dhe atë “tokësoren”, vetëm se të parën e nxjerr për njerëzit, si rrushtë për dhelprën. Konkretisht, i thotë mendja: “Si rregull dhe si koncept, njeriu nuk mund të dyshojë drejtësinë e Zotit ...është universale dhe moralisht e patundshme!”; “ligjet e shoqërisë kanë marrë plot nga drejtësia divine”; “Nuk ka mundësi të ketë një model-konsensual që është full (plot), si në drejtësinë divine...sepse i afrohet drejtësisë së Zotit, që është e pavotueshme”, “Një konsensus në kufijtë e “divines”, besoj se është diçka irreale dhe jo në drejtësinë njerëzore”; “Europa perëndimore... e një modeli modern kristian, ka ndarë pikërisht drejtësinë e Zotit, nga ajo e njeriut” etj.

Me këtë gjuhë të apologjisë fetare, autori merr pozën sikur situatën qiellore e ka në pëllëmbë të dorës. Paraqitet “i kthjellët” në turbullirën fetare, operon me fjalën“zot” e tog-fjalëshin “drejtësi divine”, me atë kompetencë, siguri e vendosmëri, siç flet edhe për Rozafën apo Taraboshin. Në një shkrim modest, t`i bëhet “hyut” kaq shumë apoteozë, ku ta gjenim, që nga ferra e vogël të na dilte një lepur i madh.

Parë më gjerë, këtë lloj qasjeje filofetare, e gjejmë te ca më shumë figura publike. Në stadin e sotëm të njerëzimit, me disnivel tronditës, me një tablo kaq kontrastore e konfliktuale, jo pak shkencëtarë, profesorë, deri dhe ndonjë akademik, e kanë ndarë mendjen që një kokë e madhe, apo Frymë, me një fjalë apo shfryrje, bën çdo çudi, mu si gomari i Nastradinit që pillte flori, montojnë e vërtisin fjalë e fraza për të nxjerrë në pah një mendje dhe dorë të paparë! Po kur filofetarizmi është thjesht zgjedhje e tyre personale, ç`kusur kanë lexuesit t`u derdhësh bardhakun e dehjes shpirtërore?

Karakatina fetare, me bosht dogmën e hyut, kthyer për disa në një rrodhe e pashqitshme, është koracuar me epitetet më të larta (hyjnore, e shenjtë, me altruizmin e birit të perëndisë në sakrificën sublime për shlyerjen e mëkateve njerëzore etj.); livadhis e paraziton edhe në disa dobësi të natyrës njerëzore (joshja me një jetë tjetër pas vdekjes, shpallja e pavdekësisë së shpirtit, premtimi i ringjalljes në një qënie tjetër, me boshllëqet e njohjes shkencore).

Ndalemi në një produkt tjetër të trullosjes fetare, ç`shkruhet në numrin e parë të revistës Poetika (botuar falë ndihmës së vyer të Deutsch-Albanisch Kulturgesellschaft “Robert Schvarc”, 2006). Autori, pasi e ka fiksasion dogmën “bota para se të bëhej botë, ishte më parë libër në qenien dhe kokën e Krijuesit”, shpreh shqetësimin se “shekullarizimi po përhapet frikshëm në botë”, shpall Hyun “përmasë të katërt”, thekson edhe se “ushtrimi i ateizmit ndaj lexuesit ... vjen që nga koha e komunizmit ... Letërsia ateiste shfrytëzon, (thënë ndryshe, shpërdoron, përdhos) ... përzien e arnon dhe mund të ketë çdo detaj të përsosur, mirëpo, sipas Faustit, i mungon, pikërisht Fryma”.

Që të keqpërdorësh fjalët e mendimet deri në këtë farë feje, si këto të intelektualit Ardian K. Kyçyku, t`i montosh fesë të tilla “furka intelektualiste”, këto i bën mendja e çakorduar e një filofetarie të çmendur. Është paradoksale, që intelektualë kalibri, dalin kaq vulgarisht kundër rrjedhës objektive dhe logjikës së jetës, kundër iluminizmit, laicizmit, shkencës dhe ateizmit. (Ta zëmë se kemi 5 milionë teologë! Pse pesë? Po sa? Pesë e gjysëm, se duhet mbledhur edhe kjo dorë intelektualësh!).

Kur inteligjenca, mendja iluministe dhe shpresa e çdo kombi për mbrodhësi, i bën hosana rudimentit-fe, i mban iso edhe grahmave të shtetalërëve, u jepet kaq lehtë boshllëqeve, dobësive e debosave personale, kjo është humbje dhe regres! Bazuar në shkencën dhe iluminizmin, në botë janë bërë dukuri të konsiderueshme edhe laicizmi e ateizmi, kështu që intelektuali, nuk mund të injorojë pjesën në rritje e zhvillim dhe të flasë vetëm me gjuhën e botës fetare.

Publiku heterogjen nuk pranon njëanshmëri, mirëpret tema me emërues të përbashkët. Argumentet kundër rudimentit fetar janë ezauruese, siç mund të theksojmë:

Së pari. Ngulmimi publik në dogmën-zot, mbajtur ngulur si gozhda e Nastradinit, bën të dalin më në pah të palarat, kalbësia dhe themelet në rërë të ngrehinës fetare.

Teologjia, e mbajtur me një “të mbinatyrshme”, është zënë ngushtë, pashmangshëm, nuk e duron dot ateizmin që vjen në jetë natyrshëm! “Mbahu - i thonë asaj shumë intelektualë, - na ke dhe ne!”Duke dalë publikisht me fjalën “zot”, sikur e “zyrtarizojnë”, ushqejnë iluzionin se pohimeve të sakatuara, u kanë dhënë të drejtë qytetarie!Iluzioneve primitive, u mbivihen iluzione moderne.

Në polemikën shekullore rreth idesë: “E krijoi zoti njeriun,apo njeriu zotin”, mendimi shkencor e ka ndarë mendjen në mënyrë të prerë. Pyetjes “Zot ku je?”, edhe Migjeni iu përgjigj “si galuç në tru të njerëzimit ka ngelun”, Ndërsa mund të pritej që ndonjë klerik potencial të deklaronte botërisht: “njerëz, mjaft ju kemi mashtruar, bazohuni në arsyen shkencore, bëhuni zot të vetes”, intelektualët në fjalë vazhdojnë të llomotisin për bëma të një koke goxha të madhe!

Për më keq e fatkeqësisht,Tirana zyrtare po terezitet të hap dyer e dritare edhe të shkollës publike, në vitin shkollor që troket, me lëndën “Kultura fetare”, një emërtim eufemik e zbukurues, i zgjedhur me hatër për fenë! Feja vihet në brazdë, jo me mbajtjen në pekule, me bonuse e reveranca, povetëm me vënien e festes sipas kokës! Kultura e mirëfilltë dhe mendimi botëror ka volume argumentesh kundër dogmës iluzore të zotit, bashkë me stigmatizimin imtësisht të imazhit të klerikëve.

Së dyti. Për cilin lloj zoti po flisni, zotërinj, se, kemi të bëjmë me një term të përgjithshëm, fliten aq emra zotash, sa janë dhe gjuhët e botës. Drejtësinë e cilës fe po prezantoni, se bota fetare ka adoptuar aq shumë lloje perëndish e drejtësish, sa, pikërisht këto dallime, janë shkaku që bashkësitë fetare po hanë turinjtë e njera-tjetrës. Pse është ky sfond botëror i përgjakjeve, ndaj po evokohet kaq shumë toleranca ndërfetare shqiptare.

Përplasjet e përgjakjet, në emër të zotave, bëhen të pashmangshme, sidomos kur çdo bashkësi fetare, lidhet me një zot të veçantë. Urrejtja dhe intoleranca ndër-fetare, janë sanksionuar qartë e bindshëm edhe në Bibël e Kuran. Dy fetë botërore vërtiten rreth dy zotave rivalë. Pse s`ka as një farë zoti, njerëzit kanë krijuar këtë mozaik fetar, siç janë dhe partitë politike (që shpesh përkëdhelet edhe si kolorit shumëngjyrësh zbukurues!) Në këtë konglomerat zotash, cili prej tyre do të merret si autor i “drejtësisë divine”?

Ky zot virtual, (e marrtë në lule të ballit), për kë, për ku e për kur e ka taksur të flamosurën drejtësi “absolute”, që, nuk ia dikton dot njerëzimit, po vetëm besimtarët e përdorin për të demonstruar një tërë pushtetshmëri kallpe!? T`i pimë lëngun kësaj “drejtësie”, Çdo epitet i sajuar si atribut dhe madhështi e diçkaje jashtë të natyrshmes dhe njeriut, do të thotë: “fjalë të mira e gurë në trastë”.

Këtej predikohet se pa vullnetin e “tij”, “nuk lëvizin as një gjethe e fije floku”, andej flitet për një “drejtësi të Zotit”, që u mbajtka në “kullë të fildishtë”, pa patur asnjë zbatim, pa ndier kush ndonjë përmirësim të gjendjes, siç e prezanton dhe autori ynë “të paarritshme” për njerëzit atë “drejtësi” i thënçin! “Ruaju, të të ruaj”, të këshillojnë në emër të tij, se po t`u kanos aksidenti apo mbytja, ike, si qeni në vreshtë, s`të shpëton. Po atëhere, pse duhet përmendur, kur i tilli zot, nuk nxjerr dot as qimen nga qulli!? Po armatës së klerikëve, ç`i mbetet si “funksion”, kur “zoti”mbahet i fshehur e i mbyllur në një guackë hermetike?

Ngrehinën teologjike, kudo ta prekësh, të ngel në dorë, krejt si ato sendet plastike, që thërmohen, pasi kanë ndenjur nën rrezet e Diellit. “Zoti” i teologjisë rrumpallë, është bërë në të përditshmen nerëzore, si plastelina në duart e kalamajve, që e kthejnë në çdo lodër të dëshirës së vet.

Së treti. Ky orientim me dy lloje drejtësish, një në Qiell, tjetri në Tokë, i servirur serbes e pa teklif, me bindjen e garancinë sikur autori t`i ketë parë apo i disponon dy dosje nëpër duar, në raftet e bibliotekës, është një çorientim i plotë. Kemi të bëjmë me një pretendim, që i është hedhur poshtë edhe të deklaruarve “profitë”, atyre, që dogmat i kanë sajuar prej “lidhjeve” me qiellin nëpër fanepsje e ëndrra, jo më një intelektuali, qoftë ai dhe i kalibrit.

Nuk themi se publicisti duhet të jetë medoemos ateist; le ta dojë zotin sa qielli, po në jetën private, s`ka pse të dalë publikisht si dëshmitar i “zotit” e i “drejtësisë divine”, sikur t`i ketë prerë kërthizën dhe veprës së tij, t`i ketë shkruar parathënien! Je besimtar, kjo është çështje personale dhe jo obligim shoqëror. Idetë e destinuara për publik, duhet të jenë shoqërisht të dobishme dhe të pranueshme prej gjithkujt. Ato dalin të tilla, kur nuk thur, as ditirambe “shenjtërore”, nuk nxjerr as brirët ateiste. Dogmat kanë boll arenë, le të prallisen në faltore, shtyp, libra e shkolla fetare. Mbetet paradoks trumbetimi i tyre edhe në shtypin laik, në emisione televizive etj...

Së katërti. Qeveritarët, botërorë e vendorë, në kundërshtim me frymën e Rilindjes Europiane dhe asaj Kombëtare, kanë adoptuar simbiozën e panatyrshme Politikë –Fe, madje, siç e ka përcaktuar me mençuri i ndieri Sabri Godo ynë: në Shqipëri, “nga monizmi në tranzicion, u kalua nga njeri ekstrem në tjetrin, nga mohimi i gjithçkaje që lidhej me fenë, në servlizëm balal të shtetit ndaj saj”. Vërtetë, politika hyri në jetë si art qeverisjeje, po ka degraduar, deri në atë farë feje, sa nuk bën fare ballafaqim me mendimin shkencor, racionalizmin dhe iluminizmin, nuk do të reflektojë prej mesazheve-perla të mendimit botëror.

Deri dhe Epikuri i lashtë theksonte: “E ndershme është jo të pajtohesh me paragjykimet e masës për perënditë, por të hedhësh dritë mbi to”. Po kujt i thotë? Edhe në këtë nivel të njohjes shkencore, politikat zyrtare, paradoksalisht, vazhdojnë t`i mbajnë për të shtrenjta edhe besimet fetare, i quajnë “vlera”, i përfshijnë në “të drejtat njerëzore”, e mbajnë dhe për “shpirt frymëzues” të kulturave e qytetërimeve (!?) Çoç ia dinë lezetin, kimetin e leverdinë, që s`e lëshojnë, i gëzohen edhe ndërtimit të xhamisë mëkatar minare, groposjes së milionave për një “pasurim” shpirtëror në pellgun e varfërisë së skajshme! Kështjellat ish-funksionale, u kthyen në muze, faltoret e kotësisë, po shtohen si kërpurdha!

Së pesti. Ç`demokraci është kjo që nuk respekton parimin e madh të Lirisë së Ndërgjegjes, që injoron, për të mos thënë, diskriminon laikët, në veçanti ateistët? Nuk të jepet të shpalosësh flamurin e ateizmit, ku dhe syrin e ke çelë, qepe dhe për karakatinën fetare, dil si laik! Ndryshe, me të tillë dashuri profetare të deklaruar, detyrimisht, ke bërë xheloze botën ateiste, ke ndezur dhe debatin,me zjarr artilerie të papërballueshëm për teologjinë mjerane.

Ndër njerëzit e penës, që i dorëzohen teologjisë për vlerë të shtuar, si ata që përdorin zotin për xhol (Besi), ashtu dhe të tjerët që gërricen hapur me Ateizmin (Adriani), jo vetëm bëjnë lapsus, po fare pa sensin e realitetit, të parimeve e normave të demokracisë, bashkohen në kor me armatën e klerikëve e koniukturat e shtetarëve, për të mbajtur në jetë, edhe besimin e verbër, bashkë me shkencën, po pa ateizëm!

Të kapesh me Ateizmin në shekullin e 21, është njëlloj si t`i biesh murit me kokë. Sa për kujtesë, ateizmin shkencor, nuk e shpiku komunizmi, ai veç e thithi si trashëgimi-perlë të mendimit e kulturës botërore, e quan vlerë e kurorë të njohjes së botës, synon kultivimin e tij në mënyrë demokratike-iluministe.

Kurse pushteti i shfrytëzimit të njeriut nga njeriu, nuk i ka as kushtet, as këllqe të ngrihet në nivelin e emancipimit shpirtëror masiv. T`i mbash iso teologjisë në shekullin e 21, është, të paktën, një donskishotizëm i kohëve moderne, fyerje e rëndë për mendimin e lirë, për nivelin dhe arritjet e derisotme të njerëzimit. Letra duron gjithçka, mbase lexuesi, i fal ca që shkruajnë në hava, veresie e badihava!

"Sot", 201614 gusht 2016


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistet.info
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2017