k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Feja hyn në shkollë: Një ide e gabuar, e padobishme, nëse jo e rrezikshme


Sipas qeverisë, rikthimi i fesë në shkollë “nuk do të cenojë laicitetin e shkollës, por “do të pajisë të rinjtë qysh në shkollë, me disa njohuri bazë për të kultivuar respektin për besimin e tjetrit dhe për të mos rënë pre e rrjeteve të propagandës ekstremiste, në emër të një feje kundër një feje tjetër”

Me ri-ardhjen e fesë në shkollë, qeveria duket se po i ngarkon një mision kësaj të fundit.

Angazhimi i shkollës po kërkohet në një kohë kur fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm fetar, të radikalizmit islamik është prezent në Shqipëri, një vend që historikisht është shquar për një traditë islame shumë të moderuar dhe mbi të gjitha historikisht për një bashkëjetesë dhe harmoni unike dhe të pangjashme me të tria besimet fetare.

Propozimi i qeverisë për të angazhuar shkollën me “mësime për fenë”, në mënyrë që “nxënësit apo studentët të mos bien pre e rrjeteve të propagandës ekstremiste të një feje kundër një feje tjetër”, duket se është nxitur nga fakti që të paktën 100 shqiptarë myslimanë i janë bashkuar ushtrisë së shtetit islamik. Por përveç “ushtrisë” prej 100 muxhahedinësh që kanë shkuar të luftojnë për shtetin islamik janë edhe një grup i vogël besimtarësh myslimanë në Tiranë, të cilët me predikimet dhe veprimet e tyre kanë sjellë tezën e islamit politik në Shqipëri.

Ajo që mund të thuhet pa frikë është se Shqipëria nuk është e imunizuar nga “ideologjia e islamit politik” dhe nga fenomeni global i ekstremizmit të dhunshëm fetar, radikalizmit islamik.

Shoqëria shqiptare nuk është një shoqëri religjioze dhe historikisht, ideologjia fetare nuk ka shërbyer për të mobilizuar politikisht shoqërinë. Në asnjë rast, në asnjë periudhë historike, pavarësisht nga natyra e regjimit, ideologjia fetare nuk ka shërbyer si ideologji organizuese për organizimin e shtetit, dhe aq më pak të shoqërisë dhe të kombit.

Por megjithëkëtë, një rrezik real ekziston: Ekstremizmi i dhunshëm fetar/radikalizmi islamik, mund të përbëjë një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të vendit. Pikë së pari, duke vënë në rrezik bashkëjetesën fetare. Por nuk është vetëm teza e islamit politik dhe radikalizmi islamik, me xhihadistët që kanë shkuar të ndërtojnë shtetin islamik në Siri dhe Irak. Edhe mënyra dhe sidomos aksionet që së pari, qeveria dhe institucionet shtetërore propozojnë kundër fenomenit të radikalizmit ekstrem fetar, mund të prodhojnë të njëjtin efekt: të dëmtojnë bashkëjetesën fetare dhe harmoninë që ekziston.

Ardhja e fesë në shkollë, qoftë edhe në mënyrën se si e propozon qeveria, është një ide e gabuar, nëse jo e rrezikshme. Propozimi i qeverisë, për të cilin e pakta mund të thuhet se është konfuz për “mësime mbi fenë” në shkollë, sipas vetë qeverisë, do të neutralizojë “propagandën e rrjeteve të propagandës ekstremiste, të një feje kundër një feje tjetër”.

Në fakt, kështu e kanë kuptuar edhe nxënësit e shkollave idenë dhe synimet që qeveria kërkon të arrijë përmes “mësimeve mbi fenë” në shkollë.

“Ne duhet të informohemi për fenë, në mënyrë që të mos vijnë terroristët dhe të na dërgojnë në Siri”, ishte deklarata e një nxënësi të shkollës nëntëvjeçare në Tiranë, ndërsa një bashkëmoshatare e këtij, tha përpara kamerave, se ne duhet të mësojmë mësimet mbi fenë sepse “ne në Shqipëri kemi harmoni fetare.” Asnjëri prej të dyve nuk kupton çfarë është harmonia fetare, dhe pse disa shqiptarë i janë bashkuar ushtrisë së xhihadistëve dhe “mësimet mbi fenë” që qeveria propozon, duhet t’jua shpjegojnë këto si dhe pyetje të tjera, si për shembull përse vetëm myslimanët u bashkohen xhihadistëve dhe kjo nuk ndodh me katolikët dhe ortodoksët. Supozoni që këto dhe pyetje të ngjashme mund të shtrohen dhe të marrin përgjigje në një klasë të përbërë nga nxënës nga të tria besimet fetare.

Po a është shkolla apo mungesa e “ mësimeve mbi fenë”, origjina apo qoftë edhe njëri prej shkaqeve të radikalizmit ekstrem islamik në Shqipëri, që shfaqet me kërkesa për “vendosjen e sheriatit” në vend të Kushtetutës, dhe që ka “frymëzuar “ disa dhjetëra të tjerë të shkojnë të luftojnë për të ndërtuar shtetin islamik?

Sipas studimeve, “Xhihadistët shqiptarë vijnë nga zonat më të varfra, më të prapambetura, ku mungon shteti me shërbimet e tij bazë. Në vend të “mësimeve mbi fenë” dhe risjelljen e fesë në shkollë, do të kishte qenë mjaft ndihmuese që shteti të rikthehej në këto zona të varfra ku mungojnë jo vetëm shërbimet bazë që një shtet supozohet të ofrojë për qytetarët, por mungon edhe shpresa.

Nuk janë vetëm varfëria, mungesa e shtetit, mungesa e shpresës, të vetmit faktorë që mund të shpjegojnë radikalizimin e disa dhjetëra shqiptarëve dhe bashkimit të tyre me ushtrinë e shtetit islamik. Procesi i rekrutimit dhe indoktrinimit nuk mbështetet vetëm në deformimin e doktrinës fetare, por ka një evidencë të fenomenit të mercenarizmit në rastin e rekrutimeve të xhihadistëve, përfshirë edhe ata nga Shqipëria.

Besoj se është e qartë se me “mësimet mbi fenë”, nuk mund të luftohet as kriminalizimi i besimit fetar, as fenomeni i mercenarizmit.

Në vend të propozimit për “mësime mbi fenë në shkollë” apo krijimin e një qendre rajonale kundër ekstremizmit, administrata duhej të kishte propozuar programe, sidomos për të rinjtë, të cilët të mbetur pa asnjë alternativë, asnjë mundësi punësimi, lehtësisht bien pre “e rrjeteve të propagandës ekstremiste”.

Sipas një zyrtari të lartë të Komitetit të Kulteve, një numër i madh xhamish janë jashtë kontrollit të komunitetit mysliman. Rëndom mund të shikosh se jo pak xhami janë ndërtuar dhe vijojnë të ndërtohen edhe atje ku s’ka banorë dhe nëse ka banorë, këta nuk janë myslimanë.

Nëse flasim për një rol që shkolla mund të luajë, ky rol nuk mund të jetë risjellja e fesë në shkollë, por një investim që mund të kishte qenë strategjik në arsimimin dhe përgatitjen e klerikëve shqiptarë. Tanimë ka një evidencë se islami i moderuar shqiptar është deformuar herë-herë nga fakti se pothuajse një gjeneratë klerikësh të rinj janë arsimuar në universitete teologjike të Lindjes së Mesme dhe bashkë me një “islam të ri”, kanë sjellë edhe një kulturë tjetër të kuptimit dhe praktikimit të besimit islam.

Nën petkun e ndihmave dhe programeve humanitare, një numër organizatash dhe fondacionesh fetare kanë mundur të përhapin idetë e tyre, për të cilat e pakta që mund të thuhet është se nuk përputhen me traditën islame shqiptare.

Ringjalljes së Shqipërisë religjioze, aq sa është shoqëria shqiptare religjioze në këta 25 vjet, i ka munguar dhe vijon t’i mungojë ndihma e shtetit, kur është fjala të paktën në rindërtimin e institucioneve fetare. Regjimi komunist i shpronësoi deri në ekstrem kishën dhe xhaminë shqiptare dhe ende sot nuk ka një vullnet të shtetit për t’i rikthyer pronat e sekuestruara. Në jo pak raste, rindërtimi i institucioneve fetare në Shqipëri, në mënyrë të veçantë të besimit islam, ka ndodhur me mbështetjen financiare të institucioneve fetare apo shteteve të tjera, por kjo ka pasur një çmim për t’u paguar: influencë mbi besimin islam shqiptar dhe herë-herë deformimin e traditës shqiptare të islamit.

Me kthimin e mësimeve për fenë, shkolla do të mbetet laike, por sigurisht ajo nuk do të jetë neutrale. Rezultatet e eksperimentit nën komunizëm dihen. Me eksperimentin që propozohet, ato që mund të ndodhin janë të paparashikueshme. Rikthimi i fesë në shkollë është një ide e padobishme, e gabuar dhe ndoshta e rrezikshme.

"Mapo", 201624 maj 2016


Komente

Jep koment

Albert Rakipi
Dr.
Publicist, diplomat, pedagog
Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistet.info
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2017