k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Feja në arsim, shkollës po i kanoset një aventurë e re


Nga janari 2017, me plan pilot të Ministrisë së Arsimit, futet në 10 shkolla të vendit, një lëndë e re me emërtim të bujshëm “Kulturë fetare”. Sesi shkrepi një ide kryeministrore, si ato fanepsjet e ëndrrave të profeteve, dhe, o burra, t’a vëmë në jetë. Dhuratë më të shëmtuar për nxënësit prej babagjyshit të kësaj radhe, nuk është dëgjuar.

Me këtë hap shkelet parimi i laicitetit, kjo arritje madhështore e njerëzimit, e realizuar në rrugëtimin e tij, të vështirë e të përgjakur të progresit dhe emancipimit. Laiciteti është kusht i frymëmarrjes mormale të shkollës. Po ndaj feve, tërësisht problematike, bota është ndarë më dysh, njera, ajo prej apologjeti (besimtarë e politikanë), që përgjërohet e shkrihet për të, tjetra, ajo prej mospërfillësish të prerë (laikë e njerëz të amancipuar). Përveç trajtimit të privilegjuar gjithfarsojësh, debulesa fetare ka çuar ujë edhe në mullirin e kompromisit të madh Shkencë-Fe, shkelje kjo, që pllakos edhe shkollën, duke krijuar një precedent problematik. Për divorcin Shkollë- Fe janë bërë përpjekje gjigande, me argumente parimore, të sintetizuara në mendimin njerëzor.

Në shekullin 21, nga politika është ndarë mendja të bëhet një përmbysje konceptuale e karakterit të shkollës; injorim i iluminizmit, mesazheve konstruktive të Rilindjes Europiane, traditave të Rilindjes Kombëtare. Është një hap konkretimi i idesë, përcaktuar bindshëm prej të ndierit Sabri Godo: nga monizmi në tranzicion, u kalua nga njeri ekstrem në tjerin, nga mohimi i çdo gjëje që lidhej me fenë, në servilizëm banal të qeverisë ndaj saj; po demonstrohet, në mënyrën më flagante, edhe simbioza e panatyrshme Politikë-Fe.

T`i bësh vend fesë në shkollë, do të thotë, statusin e saj si “një çështje personale”, ta kthesh në “vlerë shoqërore”; remineshencën primitive të lashtësisë, në tërheqje, ta servirësh si një dukuri të perspektivës; dukurinë anësore dhe të varur, kthyer në mjet, ta riciklosh në faktor dhe qëllim; të shkelësh parimin e lirisë së ndërgjegjes, të kalosh në riciklim të padijes dhe mediokritetit.

Favorizimi i ri politik i fesë, është marrëzia e re e shekullit, që nuk justifikohet me çfarëdo zbukurimesh qeveritare, të cilat janë falco e bëhen të sforcuara. Gjyshja nuk bëhet dot nuse! Kot nuk është thenë: ç’të bën qeveria, s’ta bën dot as perëndia! Hapi tragjik, është pasojë e trajtimit shtrembër e favorizues të feve, këto shekujt e fundit, si vlerë, liri dhe e drejtë njerëzore. Se ç`është punuar me anën e feve e në emër të tyre, kombi shqiptar ka përvohën më të hidhur. Pse në shpirt dhe në shpinë të tij rëndoi koshi i feve me tërë peshën e karakterit negativ, historikisht, poshtë, u vendosën raportet më të duhura, sidomos, me mbajtjen e tyre sus dhe me zdrugimin e kthetrave agravuese, traditë që nuk u integru në politikë.

Ndaj dhe Republikës së Shqipërisë i takon të ketë statusin e raporteve Shtet-Shoqëri-Fe, me vlerat me përgjithësuese, me imazhin më konstruktiv, si model orientues edhe për forcat politike-intelektuale të trojeve amtare. Si ka rrjedhur historia, si paraqitet sot tabloja e botës, fjalët e Epikurit të lashtë: E ndershme është, jo të bashkohesh me paragjykimet e masës për perënditë, por të hedhësh dritë mbi këto paragjykime, janë vlerë e mesazh me aktualitet. Kundër nismës qeveritare në fjalë, u ngrit zëri i shoqërisë civile, i indinjuar e me artilerinë e rëndë të argumenteve, shoqëruar, sidomos, me stigmatizimin e kalbësisë së dogmatikës fetare.

Qindra qytetarë, studjues dhe intelektualë, njerëzit e thjeshtë, s`pyesin, as për qeverinë, që s`respekton as veten. Mendimeve brilante të gurrës popullore, plotësisht diverguese me synimet qeveritare, të përputhshme me aspiratën e njerëzimit e atë kombëtare, u shtojmë dhe ato të shumë njerëzve të shprehur jopublikisht, na del një mikro-referendum spontan, me shpërthime të natyrshme e të sinqerta, të mjaftueshme për politikanët, që t`i vënë gjishtin kokës.

Shkollën pa fe e kërkon parimi i madh i laicizmit, bashkë me lirinë e ndërgjegjes e të mendimit, të realizuara nga mendimi botëror, i indriçuar prej orientimit: Dija është forcë, shkolla jep dije, ato ndryshojnë botën.

Këto arritje i dhanë shtysë shkencës, shkollës, iluminizmit e ateizmit, që u bënë dhefaktorë të divorcit të pa revokueshëm të tyre me dogmën fetare e faltoren. Këto kishte në program edhe Rilindja jonë kombëtare, e cila u udhëhoq nga idetë shkencore e atdhetare: Lëreni më nj`anë fenë, të shikojmë mëmëdhenë; Vetë krishti ndë na thëntë, se “jam grek, jakni pas meje, do t`i themi “pa mblidh mëntë, se shqiptari s`vjen pas teje”; Jo për kishë e për xhami, po për mësim-qytetëri, vritemi për Shqipëri; Vëllezër qemë e jemi, s`kemi për t`u ndarë, besë e fe ne kemi kombin shqipëtar; Tjetër është feja, tjetër kombësia; Feja e shqiptarit është shqiptaria.

Po, realiteti botëror tregon se, ndërsa historikisht dhe teorikisht, binomi Shkollë-Fe, quhet i ezauruar e i shpërbërë pa kthim, praktikisht dhe politikisht, jo. Vetëm rendi socialist në Shqipëri i qëndroi besnik parimit të laicizmit, iu hoq bashkësive fetare dhe përkujdesjet e koracimet e tepërta, sot, me restaurimin e kapitalizmit në Shqipëri, nisën përsëri zërat dhe kërkesat për penetrim fetar në shkollë.

Ndërkohë, ndërsa qeveritë, s`i përmbahen prerë standarteve, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, me seli në Tiranë, një organizëm i kësaj periudhe të restaurimit kapitalist, e ka gjetur daljen për indoktrinimin e mendjes së njomë të fëmijëve të moshave 6-12 vjeç, duke çelur kurse verore tremujore të “mësim-besimit dhe të gjuhës arabe”, diku në zona të thella të Tiranës (Ibë, Ferraj, Qinam), në Vulçan të Librazhdit etj. Ende pa u ushtruar mirë në gjuhën amtare, të miturve u injektohen porosi të profetit dhe ajetet kuranore. Predikuesit kapardisen se po i pajisin me vlera besimi dhe virtyte islame, si garanci e ecjes në rrugën e mbarë.

Të tilla kurse u shfaqën edhe në Pejë të Kosovës, të ndarë në dy grup-mosha: 6-9 dhe 9-14 vjeç. Po nëqoftëse besimi islam dhe ai katolik, e ezauruan rolin e tyre, në përdorimin si mjet rrethanor i barrikadës dhe rezistencës kundër ortodoksizimitpërkatësisht sllavizimit dhe helenizimit, amplifikimi sot i fanatizmit fetar, nga kushdo dhe në cilindo drejtim, kthehet në faktor negativ.

Kishomania serbe në Kosovë këto 25 vjetët e fundit, është politike, ndaj dhe objektet janë quajtur “bomba të kurdisura e të pashpërthyera të Milosheviçit”, ku është gjithnjë e pranishme edhe dora e Moskës ortodokse, si mjet i ekspansionit të saj pan-ballkanik. Kjo gjendje e ka tërhequr vëmendjen e intelektualëve patriotë … Janë edhe një seri librash që turbullojnë mendjet e njerëzve. Me kësi lloj botimesh kapardisen edhe nëpër panaire librash. Tipike, është përdorimi i realizimeve shkencore kundër vetë shkencës, i aktit të Krijimit kundër Evolucionit, manipulimi dhe futja e gjithshkaje në klishetë e fesë islame. Kjo përbën një shembull çmendurie, shtrembërimesh e falsifikimesh flagrante dhe shprehjesh aluçinacionesh që veç letra i duron.

Rrënjosja e fesë u intereson pa masë politikave zyrtare, ato ngazëllehen kur banori Strugës apo Ohrit të thotë shqip: “jam truk, turçeli!” Shtimi numerik i një etnije, nëpërmjet asimilimit fetar, është zbritje në etninë tjetër. Parë në tërësi, feja, nga qëllimi, është bërë mjet, dhe, ideja bazë, orientimi shkencor për gjykimin e rolit të sistemeve fetare në kohët tona moderne, mbetet ajo e Henri Kisinger, se: Kërkesat fetare janë pretekste për qëllime politike e strategjike (Diplomacia, f. 93). Motivimi kryeministror së mësimi i fesë në shkollë bëhet që të qartësohen fëmijët për fenë “e pastër e paqësore” që të mos bien pre i xhihadizmit.

Është absurditet, një pretekst i montuar, produkt i filofetarisë dhe nostalgjisë personale. Fetë, në përmasa vendi, rajoni e planetare, prodhojnë probleme e shqetësime serioze. Këto nuk janë të rastit. Indoktrinimi, shpëlarja e trurit, e ka bërë të vetën në cilindo besimtar pa përjashtim. Fanatizmi në fe, tipik e ulur këmbëkryq; siç ka viktimizuar në kohët antike, ca më shumë në Mesjetë, ashtu po vret edhe në kohët moderne, me dëme të pallogaritshme, duke i prishur popujve paqen e qetësinë.

Aktualisht, me terrorizmin, si problem global, bota përjeton një makth të vërtetë. Fryma dhe gjuha kërcënuese është sanksionuar në Bibël dhe Kuran. Krishterimi dhe islami, në substancë, janë gatuar si përjashtuese, mbartin urrejtje e intolerancë të ndërsjelltë, madje, edhe midis degëzimeve kryesore brënda secilës. Ndarja e xhihadizmit nga islamizmi, është falsifikim i thelbit të fesë, një pretekst i sajuar vetëm për shpalosjen e favorizuar të saj në shkollë. As një herë nuk kanë munguar vatra shpërthyese të fanatizmit fetar, luftra vëllavrasëse, me gjakosje të egra dhe akte vandale. Fetë nuk i bën politika “të këqija”, ajo i njeh mirë ato si të tilla, ndaj dhe i instrumentalizon. Krerëve myslimanë, në Shqipëri dhe kudo në botë, faktikisht, u takon t`i vrasë ndërgjegjja, të skuqen dhe jo të “distancohen” nga xhihadizmi, jo të lajnë gojën me një fjalë goje!

Shtrembërim i shekullit është edhe pleksja zyrtare e termave kulturë e fe. Me termat ”qytetërim”, “kulturë” dhe “fe”, është thurur një pështjellim konceptual, për më keq, shprehjet “qytetërimi i krishter”, “qytetërimi islam”, janë bërë kaq të zakonshme, sa shumë mendojnë sikur është vërtetë kështu. Nga këto terma të opinionit të rëndomtë, nuk shkëputen dot as politikanët. Fakt është se besimet e larmishme të oazeve njerëzore në xhungla apo, deri dhe fetë botërore – krishterimi dhe islami, që u përhapën nëpërmjet shpatës, insistimit të pushtuesve dhe misionarëve (veçori që i ndan nga kultura e mirëfilltë), në klasifikimin e përgjithshëm të dukurive sociale, i përkasin krijimit emocionaldogmatik, afrojnë e përgjasojnë me kulturën, më shumë se me çdo dukuri tjetër të krijimit njerzor. Të ushtrosh kultin dhe mënyrën fetare të jetesës, është “kulture” e një lloj të jetuari. Po kjo është një afërsi vetëm formale. Thelbësore mbeten dallimet midis tyre. Ajo lloj kulture, gjëndet në paradhomën e kulturave të mirëfillta. Në se kultura e mirëfilltë, zhvillon e ndryshon në një trajektore spirale, me arritje, vlera kolosale, që bëhen shtylla e mjete të progresit, kjo nuk ndodh me besimet; ato janë ngurosur dhe mbeten “bathe-bathë, po një kokërr”.

Parë hollë-hollë, mozaiku dogmatik e ritual i botës, bashkudhëtar i kulturave, është bërë maja e ndërsimeve midis qytetërimeve të mirëfillta. Në qofshin kulturë magjitë, horoskopi, qindra bestytni, bashkë me paragjykimet për macen e zezë, ç’mbetet për t’u quajtur antikulturë, apo, të paktën, kulturë e deformuar? Doktrinat fetare dhe kulturat me bosht shkencën, janë dy forma të veçanta të ndërgjegjes njerëzore, të dallueshme dhe të ndryshme. Ndaj, ideja, sikur Historia e feve, është histori e qytetërimeve, do të duhej të formulohej Historia e feve është histori e diversionit klerikal dhe përdorimit të ngushtë të kulturës e arteve në dobi të përcjelljes më komode to dogmave. Nuk është feja meritore ndaj kulturave e qytetërimeve, anasjelltas, mjetet kulturore e qytetëruese, janë përdorur për rritjen e kredibilitetit të fesë. Nuk bie erë kulturë kur vetë bashkësitë fetare bëjnë përpjekje, sforcime e presion për mbijetesë, duke shfrytëzuar, si epitetet- kallp (qiellore, hyjnore, e shenjtë), ashtu dhe disa dobësi të vetë gjendjes njerëzore (padija, dobësitë, dëshira e ndonjë vazhdimësie të jetës etj.).

Në këtë sfond e kontekst, ç`mesazhe dalin nga Kulturkampf i Bismarkut? Si duhen vlerësuar reformat iluministe të Mustafa Qemal-Ataturkut, bashkë me fjalinë e famshme të tij “fetë nuk na bashkojnë”? Mos vallë, edhe Lenini duhej shpallur si tepër tendecioz, që e cilësoi fenë “anti-kulturë”? Ndaj, ajo që duhet hulumtuar, është, jo në se i jep gjëkafshë ky parazit kulturës njerëzore, por sa e si e ka bërë Kisha uzurpimin e kulturës dhe artit të kohës, për interesat e veta të rrënjosjes së dogmave primitive.

Ajo që preokupon sot njerëzimin është si të “çminojë” ngërçet dhe stërkëmbshet e shkaktuar prej feve. Progresit, që e synojmë dhe e duam, i bie ndesh mozaiku fetar, (i përkedhelur, shpesh, edhe si “kolorit pluralist”, zbukurues e lezetues). Ky mozaik, përveç si gjëndje latente për armiqësim, është pengesë e sfidë edhe për proceset integruese e globalizuese.

"Shekulli", 201618 dhjetor 2016


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistet.info
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2017