k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Paradoksi i mësimit mbi fetë në shkolla


Me idenë për mësime mbi fenë në shkolla, antagonizmi i përbotshëm ndërmjet shkencës dhe fesë, rritet në përmasa enorme, për vetë faktin se mbështetësit e të parës japin shpjegim empirik-faktik për botën apo fenomenet, teksa të dytët janë partizanë të shpjegimit joempirik që lidhet me botën e përtejme dhe ekzistencën e forcave të padukshme që kontrollojnë botën, respektivisht njerëzimin. Shoqëria shqiptare ka nevojë të mësohet të mendoj, e kjo nuk arrihet në rast të përpjekjes për të turbulluar mendimin nëpërmjet përfshirjes në kurrikula shkollore të aspekteve religjioze.

Si një vend me nivel infantil në shkencë dhe inovacion, mësimi mbi fetë do ta dogmatizojë të menduarit dhe shkollat gradualisht do t`i brendësojnë elementet e objekteve të kultit, për vetë faktin se ky mësim do të tejkalojë nevojën për njohje formale të leksioneve për fetë, dukë bërë hapa progresiv drejti indoktrinimit. Ky veprim paraqet rast tipik të përmbysjes së rendit, kur homo scholasticusit ia zë vendin homo religious. Në filmin “Agora”, shpjegohet më së miri relacioni ndërmjet religjiozitetit dhe tendencës për liri të mendimit, për një shoqëri të bazuar në dije, por jo në dogma religjioze. Propozimet ad hoc, që lënda e mësimit mbi fetë të futet në shkolla janë kundërpeshë e gabuar e ekstremizmit fetar.

Qasja kësisoj ndërton një konkurrencë të ashpër ndaj interpretimit shkencor mbi fenomenet jetësore dhe krijon terren për shtrirje mendimit dogmatik. Kësisoj, në një vend me të ardhme krejtësisht të pasigurt, të frikshme, kjo lëndë do t`i mundësoj nxënësve të besojnë në diçka mbinatyrore, të padukshme, sepse ajo që është e dukshme, tokësore është e pashpresë. Nëse ekstremizmi fetar është prodhim i fesë atëherë logjikisht është problem të mendohet shpëtimi nga vetë feja. Propozimet e tilla, të ambalazhuara nën petkun e zhvillimit të mendimit mbi tolerancën fetare, prodhojnë një situatë falso, prej së cilës zhvillohet intoleranca, por edhe predominimi.

Nga ky shkak, futja e mësimit mbi fetë është goditje në vlerat e etabluara në shoqërinë shqiptare, e cila ka arritur deri tash ta ruajë deri diku ndikimin nga feja. Jo pse njerëzit nuk duhet të kenë njohuri për fenë, porse mësime të tilla mund të marrin, në shkolla apo institucione përkatëse religjioze. Në parim, tendenca për futjen e mësimit mbi fenë, është një veprim pararendës, më i butë karshi kërkesave për legalizimin e shamisë. E para do ta pasojë të dytën, apo edhe kërkesa të tjera të kësaj natyre në një shoqëri të pakonsoliduar e ku secili mëton të jetë bartës i së vërtetës.

Prandaj, bazuar në këto rrethana, duke refuzuar çfarëdo krahasimi me shtete të tjera me demokraci të konsoliduar, tendenca për t`i bërë pjesë të sistemit arsimor njohuritë mbi fenë, nëpërmjet një lënde të veçantë, e çan kohezionin social të shoqërisë shqiptare, sado që ai tashmë është plasaritur në shumë vende. Nëse mësimi mbi fetë në shkolla, ritualet dhe manifestimet religjioze në sheshe publike, nuk e cenojnë laicitetin e shtetit, atëherë pse duhet të ekzistojë në Kushtetutë përkufizimi për shtetin laik? Periodikisht, asnjëherë mbi 40 për qind e maturantëve kosovarë nuk kanë arritur ta kalojnë testin e maturës.

Në këto kushte, të futet mësim mbi fetë në shkolla është paradoks, teksa niveli i dijeve bazike është trishtues. Prandaj, të dy shtetet, Kosova dhe Shqipëria, më mirë është ta rrisin cilësinë në lëndët aktuale që kanë nxënësit, sesa të shtojnë të reja që s`u hyjnë në punë në përditshmëri. Nëse duhet gjithsesi nxënësit të kenë informacione triviale për fetë, bëjeni një modul në kuadër të edukatës qytetare, por mos ndërtoni premisa për ta trazuar shoqërinë shqiptare, e cila në esencë nuk është tolerante, që e ka fatkeqësi ndarjen në tri fe dhe që në kontekstin socio-kulturor lëkundë themelet e shoqërisë sekulare.

Nxënësit duhet të arsimohen dhe edukohen mbi bazën e fakteve (shkencës), por jo të ndjenjave (fesë). Nëse feja dhe njohuritë mbi të i përkasin sferës personale, atëherë është e pakuptimtë tendenca që ajo të bëhet pjesë e diskursit publik, aq më pak të shkollave. Çështjet që i përkasin besimit dhe fesë përfundimisht duhet të mbeten në suaza të përcaktimit personal, si një parakusht për mbrojtjen e sekularitetit të shtetit dhe normalitetit. Si do ta shpjegonin ligjëruesit e mësimeve mbi fetë, teorinë e evolucionit të Darvinit, teksa dy fetë dominante në shoqërinë shqiptare: islami dhe krishterimi e refuzojnë kategorikisht atë.

Në një përpjekje të tillë, në një ndeshje kaq serioze ndërmjet shkencës dhe fesë, këta nxënës potencialisht do të mund të jenë detonator të themeleve sekulare në shoqërinë shqiptare. Me këtë qasje, antagonizmi i përbotshëm ndërmjet shkencës dhe fesë, rritet në përmasa enorme, për vetë faktin se mbështetësit e të parës japin shpjegim empirik-faktik për botën apo fenomenet, teksa të dytët janë partizanë të shpjegimit joempirik që lidhet me botën e përtejme dhe ekzistencën e forcave të padukshme që kontrollojnë botën, respektivisht njerëzimin.

Prandaj, nuk është rastësishme që disa përfaqësues fetar kur flasin për rëndësinë e kësaj lënde në shkolla, analogjinë e bëjnë me patologjitë sociale, të cilat ata i paraqesin si të tilla. Kjo sforcohet duke përdorur frikën si mjet kundrejt prindërve, rrjedhimisht gjithë shoqërisë, për rrezikun e presupozuar nga rrjedhat moderne të zhvillimit shoqëror.

Kur kësaj i shtohet edhe pasiguria e funksionimit të shtetit, prindërit- shoqëria gjithsesi, vetvetiu do të jenë të prirë që brezin e ri ta orientojnë drejt fesë si mekanizëm kontrolli, porse jo drejt kultivimit të mendimit të pavarur për aspekte të gjithëmbarshme shoqërore.

Praktikisht, mësimi mbi fetë në shkolla, thellon edhe më hendekun dhe shkakton një antagonizëm në relacion ndërmjet sferës publike dhe asaj private. Nga kjo premisë, shkolla dhe feja, mund ta vazhdojnë bashkekzistencën, gjithnjë duke respektuar linjën ndarëse në mes tyre si një parakusht për normalitet.

"Zëri", 201615 prill 2016


Komente

Jep koment

Sibel Halimi
Sociologe, publiciste
Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistet.info
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2017